Thursday, May 23, 2013


Agjencia për Akreditim e Kosovës publikon rezultatet e procesit të akreditimit
Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) ka bërë publike sot rezultatet e procesit të akreditimit për institucionet publike dhe private, të cilat ja ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës për vendimin final.
Në një konferencë me gazetarë, ku janë bërë publike këto rezultate, Ferdije Zhushi-Etemi, kryetare e Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) tha se akreditimi për institucionet private të arsimit të lartë të riakredituara zgjatë tri vjet, përveç në rastet kur ekspertët kanë rekomanduar ndryshe. Ajo më pas ka theksuar të gjitha rekomandimet e ekspertëve të akreditimit për secilin institucion publik dhe privat veç e veç.
Ekspertët kanë rekomanduar që të akreditohen programet e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, ndërsa për 8 nga 11 programet e Fakultetit të Edukimit, është rekomanduar që të akreditohen, me kusht që të hartojnë kurrikulumin e ri këto programe, të transferohen programet e orientuara në lëndët përkatëse të fakulteteve tjera të UP-së, e cila mundëson një organizim efikas të mësimdhënies. Po ashtu, ky fakultet të koncentrohet në çështjet arsimore, pedagogjike dhe metodologjike, programi i hulumtimit të zhvillohet në fushën e shkencave të edukimit dhe për shkak të mungesës së madhe të stafit akademik, të transferohen degët në Prishtinë dhe të mos pranohen studentë në degë në vitin akademik 2010/2011.
Sa i përket Fakultetit Filologjik, është rekomanduar që programi Gjuhë dhe Letërsi Gjermane (bachelor) të akreditohet për një vit, me kusht që të rishikojë kurrikulën, të rris numrin e personelit të kualifikuar dhe të shtojë aktivitetet kërkimore. Ndërsa, AAK ka rekomanduar që programet e studimeve: Letërsi e Përgjithshme dhe Krahasimtare (bachelor dhe master), GJuhë dhe Letërsi Turke (master), Gjuhë dhe Letërsi Gjermane (master) dhe Gazetari (master) të mos akreditohen dhe të mos pranojnë studentë për vitin akademik 2010/2011.
Në Fakultetin Filozofik, AAK ka vlerësuar të mos akreditohet vetëm programi Historia e Ballkanit Mesjetar (master), ndërsa të akreditohen Shkencat Politike (bachelor), Psikologjia (bachelor) dhe Etnologji dhe Antropologji Kulturore (bachelor - 1 vit).
Në Fakultetin e Mjekësisë, është rekomanduar akreditimi i Mjekësisë së Përgjithshme (dy vite) dhe i Farmacisë (një vit).
Fakulteti i Shkencave Teknike të Aplikuara nuk ka marrë notë pozitive të ekspertëve vetëm për programin Industria e Drurit (master).

Për Fakultetin e Arteve është rekomanduar që të akreditohet në 16 programet e studimit, me kusht që për dy vite të riformulojë kurrikulën në përputhje me rekomandimet e ekspertëve, të rrisë numrin e persolenit dhe të përmirësojë infrastrukturën.
Këshilli Kombëtar i Cilësisë po ashtu ka rekomanduar që Universiteti i Prizrenit të shpallë konkurs për pranimin e studentëve, kurse procedura e akreditimit do të vazhdojë sipas agjendës së pareaparë.
Sa i përket institucioneve private të arsimit të lartë, Ferdije Zhushi-Etemi theksoi se KKC vlerëson se ka pasur lëvizje pozitive në ngritjen e cilësisë së studimeve gjatë vitit akademik 2009/2010 dhe çmon përpjekjen e institucioneve për t'i përmbushur rekomandimet e dhëna nga ekipet e ekspertëve të akreditimit. Por, ajo ka theksuar se asnjë nga Institucionet Private të Arsimit të Lartë, aktualisht nuk i përmbushin kriteret për të bartur emrin "Universitet", për të dhënë tituj akademik për mësimdhënësit si dhe për të ofruar studime të doktoratës.
Me këtë rast, është bërë e ditur se ekspertët kanë dhënë këto rekomandime sa i përket Bartësve Privat të Arsimit të Lartë:
Kolegji AAB - Riinvest është riakredituar në 16 programe studimi. Ky kolegj ka marrë përgjigje për mosakreditim në katër drejtime.
Kolegji "Fama" ka marrë akreditimin për 12 programe studime në fusha të ndryshme, prej të cilave katër drejtime kanë akreditimin me kusht (një vit), ndërsa mosakreditim ka marrë në tri drejtime tjera.
Kolegji "Iliria" është akredituar për 8 programe, ndërsa në 7 drejtime tjera ka marrë përgjigje se nuk është akredituar.
Kolegji "UBT" ka marrë akreditim në 7 programe, ndërsa programet e studimit që nuk i akreditohen janë 10.
Kolegji "Dardania" ka marrë riakreditim në 6 programe, por mosakreditim në dy programe tjera.
Kolegji "Victory" është riakredituar në katër programe, ndërsa në tri programe tjera ka marrë përgjgije për mosakreditim.
Kolegji për Studime të Menaxhmentit Ndërkombëtar (KSMN) ka marrë akreditim në dy programe. Kurse kolegji "Universum" është riakredituar në tri programe. Dy programe tjera të këtij kolegji nuk janë akredituar.
Kolegji "Biznesi" riakreditohet në katër drejtime, ndërsa nuk akreditohet në një drejtim. Instituti për Studime të Shkencave të Aplikuara Organizative "Pjetër Budi" riakreditohet në katër drejtime, nuk akreditohet në dy drejtime.
Kolegji "Gjilani" ka marrë akreditimin për tri programe.
Shkolla e Lartë Profesionale e Artit "Evolucion" riakreditohet në pesë drejtime, ndërsa nuk akreditohet në dy programe.
Shkolla e Lartë Profesionale "Tempulli" ri akreditohet në katër drejtime, nuk akreditohet në dy drejtime.
Shkolla e lartë teknike "Design Factory" riakreditohet në një drejtim.
Prej institcuioneve që i janë nënshtruar për herë të parë procesit të akreditimit është akredituar me dy drejtime Shkolla Evropiane për Drejtësi dhe Qeverisje. Kësaj shkolle nuk i janë akredituar tri drejtime tjera. Akreditim për herë të parë ka marrë edhe Instituti për Studime Politike dhe Evropiane (ISPE) në një drejtim. Me kusht është akredituar Shkolla e Lartë Profesionale "Biomedika" në tri programe, por në një drejtim ka marrë mosakreditim.
Shkolla e Lartë Profesionale "Qeap-Heimerer" me një program. Mos akreditim kanë marrë dy institucione.
Kolegji i Prizrenit "UNIPZ" me pesë programe dhe Instituti "Adesign" me katër programe kanë marrë përgjigje negative nga AAK-ja.